
Aedes albopictus (Familja Culicidae), njihet edhe me emrat Mushkonja Tigër, Mushkonja e Azisë Tigër ose Mushkonja e Pyllit e Ditës, njihet nga këmbët me vija të bardha dhe të zeza dhe nga trupi i hollë me ngjyrë bardhë e zi. Origjina e saj është nga Azia juglindore, ku ajo gjendej në një zonë që fillonte në perëndim në Madagaskar deri në lindje në Guinenë e Re, dhe në veri deri në Kore.
Mushkonjat e species Aedes albopictus kanë një gjatësi mesatare prej rreth 5mm. Ashtu si edhe të gjithë anëtarët e familjes së mushkonjave, femra e kësaj specieje është e paisur me një proboscis (gjuha në formë tubi e mushkonjave) të hollë dhe të gjatë, të cilin ajo e përdor për të grumbulluar gjak për të ushqyer vezët e veta. Në ndryshim nga femra, mashkulli i species ushqehet kryesisht me nektar. Femra shumëzohet duke i lëshuar vezët e saj pranë ujit, por jo në ujë siç bëjnë zakonisht femrat e mushkonjave të specieve të tjera, zakonisht pranë një pellgu me ujë të ndenjur. Megjithatë, për zhvillimin e larvave të kësaj specieje, është e mjaftueshme që vezët të lihen pranë një depozite apo ene të hapur me ujë.
Mënyrat si të kontrollohet përhapja e mushkonjës Tigër
Gjatë viteve të fundit në SHBA është përdorur shumë spërkatja me lëndë helmuese për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së Virusit të Nilit Perëndimor. Spërkatja kryhet zakonisht gjatë natës për të mos dëmtuar bletët që ushqehen gjatë ditës. Por edhe mushkonja Tigër ushqehet gjatës dhe për këtë arsye spërkatja natën nuk është efektive kundër kësaj mushkonje.
Megjithatë, është e lehtë të luftohet përhapja e kësaj mushkonje sepse vendi i saj i shumëzimit është shumë pranë vendit ku edhe pickohen njerëzit, meqënëse kjo mushkonjë nuk fluturon në largësi të mëdha. Vende të tilla shumëzimi janë pellgje me ujë të ndenjur prej më shumë se 3 ditësh, ulluqet e çative të shtëpive, goma të vjetra, vende ku hidhen plehrat, dhe në përgjithësi çdo enë ose depozitë e hapur me ujë të ndenjur. Uji i rrjedhshëm nuk përdoret nga mushkonjat. Po ashtu edhe ujë në të cilin ka peshq të vegjël sepse peshqit ushqehen me larvat e mushkonjave.
Pilivesat janë po ashtu një metodë e shkëlqyer për luftimin e mushkonjave. Larva e pilivesës ushqehet me larvat e mushkonjave, ndërsa pilivesa e rritur i gjuan mushkonjat duke i kapur në fluturim e sipër. Përdorimi i insekticideve të cilët vrasin edhe pilivesat mund të japë rezultate edhe më të këqija në luftimin e mushkonjave. Vërtet në fillim do të ulet numri i mushkonjave, por pas një periudhe kohe mushkonjat do të shtohen shumë sepse edhe "armiqtë" e tyre janë zhdukur.
Mënyra më e mirë për të lufutar mushkonjat është të thahen të gjithë pellgjet me ujë t ndenjur si dhe të kryhet pastrimi i enëve apo depozitave të ujit. Në ato raste kur kjo nuk mund të kryhet atëhere mund të përdoret një lugë gjelle me vaj vegjetal. Vaji krijon një shtresë mbi ujë e cila i ndalon larvat e mushkonjave që të dalin në sipërfaqe dhe të marrin frymë.
Çdo depozitë ose enë me ujë e cila nuk mund të pastrohet, boshatiset ose trajtohet me vaj vegjetal, mund të trajtohet në mënyrë periodike me BTI Bacillus thuringiensis israelensis. Ky lloj bacili lëshon në ujë një substancë e cila vret larvat e mushkonjave përpara se këto të zhvillohen në mushkonja të rritura. Kjo lloj substance verpom vetëm kundër larvave të insekteve të dëmshme dhe nuk ndikon tek njerëzit, peshqit, zogjtë, dhe bimët.
Mushkonja Tigër në Shqipëri
Për herë të parë, kjo mushkonjë e veçantë është identifikuar në vitin 1979, nga Prof. Doktor Jorgji Adhami, në Laç, në kohën e importit të gomave e mjeteve të transportit nga Kina. Ndër zonat ku përhapet lehtësisht, veçohen ato bregdetare të jugut, sidomos në Butrint, Sarandë, Himarë, Jalë. Por, së fundi ka filluar të ndeshet edhe në Durrës, Velipojë, madje edhe në Tiranë.
Në verën e vitit 2006, u mendua se kjo mushkonjë kishte filluar të përhapej përsëri në Butrint. “Në vend është vënë re prania e mushkonjës “Tigër”, e cila konsiderohet e rrezikshme, pasi pickimi i saj krijon alergji dhe mund të jetë burim i një sërë sëmundjesh”, u shpreh shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino. Dihet se mushkonja Tigër është e përhapur në Korfuz dhe mendohet se ajo ka kapërcyer edhe në zonën pranë Sarandës. Komuna e Xarës, e sidomos ajo e Ksamilit, duke qenë më afër rrezikut e me pushues të sezonit veror, janë duke kërkuar asistencë veterinare dhe mbështetje logjistike për të bërë dezinsektizimin e terrenit, duke nisur nga Butrinti, që është i njohur si vend mushkonjash.
No comments:
Post a Comment